Koncesioni i sterilizimit/ Manastirliu: Ka rritur ndjeshëm sigurinë e jetës së qytetarëve

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/- Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha sot se, koncesioni i sterilizimit është një investim i realizuar përmes PPP (Partneritet Publik Privat), i cili ka rritur ndjeshëm sigurinë e jetës së qytetarëve duke ulur me dy herë infeksionet postoperatore.

“Kjo PPP ka siguruar më shumë siguri për jetën e qytetarëve që futen në operacione, janë ulur me 2 herë infeksion postoperatore, krijohet mundësi për më pak antibiotikë, ulet numri i ditëve të qëndrimit të spital. Tani nuk ka më lista pritjeje sa i përket ndërhyrjeve operatore”, – u shpreh ministrja.

Në lidhje me rishikimin që i është këtij koncesioni Manastirliu bëri me dije se ky rishikim që është bërë pas bisedimeve që zgjasin prej rreth një viti, nuk sjell ulje të cilësisë së shërbimit të qytetarëve.

“Ulja e çmimit është bërë për mbi 63 mijë ndërhyrje operatore, mbi këtë bëhet një ulje në çmim me 25 për qind pasi tregon se është rritur efiçenca e sallave operatore”, – tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se falë investimeve dhe rritjes me 43% të buxhetit për shëndetësinë, ose 75 miliardë lekë, qeveria po shkon drejt objektivit për një shëndetësi të aksesueshme, cilësore dhe të përballueshme nga të gjithë.

Ajo konfirmoi se, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çdo rast me koronavirus që mund të paraqitet në pikat kufitare.

“Ne ndjekim protokollet e OBSH mbi sistemit të survejimit. Kemi një sistem për të trajtuar rastet e prekura nga coronavirusi i ri. Kemi në të gjitha pikat kufitare, ku mund të hyjë një rast i prekur, dhomat e karantinës. Kemi dhomat e izolimit në QSUT në rastet kur mund të mbahen personat e prekur nga ky virus”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë.

Gjithashtu, Manastirliu tha se, pjesë e masave parandaluese është dhe ngritja e një Task-Force, e cila përbëhet nga 24 ekspertë të fushës së Shëndetësisë që po zbatojnë një plan masash për rritjen e survejimit në të gjitha pikat kufitare. e.xh/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.