“Hedda Gabler” e Henrik Ibsen mirëpritet nga artdashësit kryeqytetas

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Vepra “Hedda Gabler” e dramaturgut të famshëm norvegjez Henrik Ibsen u ngjit fundjavën që lamë pas në skenën e teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ku u mirëprit nga artdashësit kryeqytetas.

E vënë në skenë nga regjisori rumun Botond Nagy, në këtë pjesë teatrore luajnë aktorët e njohur: Ermira Hysaj, Romir Zalla, Mateo Dervishaj, Adriana Tolka, Alfred Trebicka, Alert Çeloaliaj.

Ndërsa skenografia është nga Irina Moscu, kostumografia Sofi Kara, dramaturgjia Kali Agnes dhe lëvizja skenike Mateo Dervishaj.

Hedda është vajza e gjeneralit të famshëm Gabler, si fëmijë ajo ishte mësuar të jetonte në luks dhe me klas. Ndërsa fillon shfaqja, ajo po kthehet nga muaji i saj i mjaltit me Jurgen Tesman, një studiues me perspektivë të mirë, por jo me aq të ardhura sa është mësuar Hedda. Mbiemri i saj pas martese është Tesman. Kjo për faktin se Hedda ishte më shumë vajza e babait, sesa gruaja e burrit të saj. Hedda është një grua e re, inteligjente, e paparashikueshme dhe disi e pandershme, e cila nuk ka frikë të manipulojë burrin dhe miqtë e saj. Hedda e bukur zotëron një shpirt të çmendur që rri brenda trupit të një shoqërie konservatore.

Regjisori rumun Botond Nagy e ka vënë për herë të dytë në skenë “Hedda Gabler”, këtë radhë në Tiranë, pas vënies së saj në “Radu Stanca”, Teatri Kombëtar i Sibiu, në Rumani.

Henrik Ibsen lindi më 20 mars 1828, në Skien, Norvegji. Në vitin 1890, ai shkroi “Hedda Gabler”, duke krijuar një nga personazhet më famëkeqë të teatrit. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.