FOTO-VIDEO/ Ambasadorja Kim dhurata për fëmijët e prekur nga tërmeti në Manzë

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, vizitoi javën e shkuar qytetin e Durrësit, për të shprehur solidaritetin e saj për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit dhe për të parë se si ndihma e qeverisë së Shteteve të Bashkuara po kontribuon në përgjigjen pas tërmetit

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim vizitoi edhe  një prej Hapësirave Miqësore për Fëmijët në Manzë e ngritur nga UNICEF Albania falë mbështetjes bujare nga USAID/Albania.

Gjatë vizitës, ambasadorja Kim u takua me fëmijë dhe u njoh nga afër me punën e UNICEF, gjatë dhe pas emergjencës kryesisht në mbështetjen psiko-sociale të fëmijëve.

Ajo shpërndau dhurata për fëmijët dhe vëzhgoi se si UNICEF po përdor financimin e USAID për të ndihmuar fëmijët që kanë nevojë për mbështetje pas tërmetit.

Ambasadorja gjithashtu gjatë vizitës së saj i dorëzoi Kryqit të Kuq Shqiptar një Certifikatë Vlerësimi për punën profesionale dhe efikase, duke ndihmuar viktimat e tërmetit me mbështetje financiare nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Pas prezantimit, ambasadorja Kim, së bashku me zv.ministren Rovena Voda vizituan Qendrën Operacionale të Krizave.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.