Fajon dhe Kukan: Të korrigjohet gabimi i rëndë politik për negociatat

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/- Tanja Fajon dhe Eduard Kukan, dy eurodeputetë e njohur për shqiptarët, në angazhimin e tyre për integrimin e Ballkanit në BE, në një intervistë televizive, shprehën qëndrimet  dhe pritshmëritë e tyre për vendimin që pritet në mars për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Të pyetur mbi pritshmëritë e vendimit në mars për negociatat:

Kukan tha se “unë jam një optimist i lindur, por është shumë e vështirë të jesh optimist për çështje të tilla dhe për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj unë do të gënjeja nëse do të thosha që jam optimist. Unë mendoj se ne duhet të jemi shumë realistë dhe ndoshta skeptikë, por duhet të punojmë më shumë për të sjellë ndonjë surprizë për skeptikët. Pra le të mos ngremë pritshmëritë që çdo gjë do të ndodhë apo që do të arrihet gjithçka, pasi ka nevojë për pak kohë. Por ajo që është e rëndësishme është që ne duhet të luftojmë për arritjen e kësaj gjëje, të gjithë, pa asnjë kujdes politik apo gjuhë të këndshme, apo me diplomaci. Tashmë është koha kur gjërat duhen bërë, sepse fjalët e bukura i kemi thënë prej kohësh.”

Ndërsa Fajon u shpreh se “po, unë besoj se është mirë të mbetemi të kujdesshëm sepse vetëm pasi të arrihet rezultati mund të festojmë, ashtu siç shpresoj që të ndodhë. Por nuk është diçka e mençur rritja e pritshmërive tani dhe nuk është as në duart tona. Janë të tjerë ata që do të duhet të marrin vendimin. Por sërish, unë sinqerisht shpresoj, meqë ishte një gabim politik, që ne do të jemi të aftë ta korrigjojmë dhe t’i japim një sinjal pozitiv zgjerimit të mëtejshëm me Ballkanin Perëndimor, sepse shumëçka do të varet nga marrja e këtij vendimi në mars apo para Samitit të Ballkanit Perëndimor që mbahet në muajin maj në Zagreb. Dhe unë shpresoj gjithashtu që Presidenti francez, i cili tani është angazhuar shumë për ta bërë funksional procesin e zgjerimit, do të marrë vendime më të zgjuara në të ardhmen.”

Ndërsa në lidhje me vendimin e muajit tetor eurodeputetët u shprehen:

Fajon, tha se “ne duhet të korrigjojmë gabimin. Gabimin për të cilin janë dy vendet që po paguajnë këtë vit. Unë shpresoj ende që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do ta marrin këtë pranverë dritën jeshile për çeljen e negociatave për anëtarësim. Është e padrejtë që njërës qeveri iu desh të merrte përsipër përgjegjësinë duke mbajtur zgjedhje të parakohshme. Dhe unë shpresoj gjithashtu që Komisioni Evropian dhe qeveritë e BE-së janë të vetëdijshëm se jo vetëm na duhet të rifreskojmë procesin e zgjerimit por duhet që ai të vihet lart në axhendë.”

Ndërsa Kukan, ish-eurodeputet  u shpreh se, “unë u zhgënjeva shumë kur mësova për vendimin e Këshillit të tetorit sepse ne i kemi ndjekur zhvillimet në dy vendet dhe ne në Parlamentin Evropian e dinim që ky vendim ishte i padrejtë. Dhe ishte një gabim, një gabim i rëndë politik. Por nuk mjafton të qajmë për atë çfarë ndodhi dhe mendoj se të gjithë ne, kudo, në Komision, në Këshill, vendet anëtare dhe anëtarët e Parlamentit Evropian duhet t’ia themi me zë të lartë zotit Macron se ai ishte gabim. E më pas ai erdhi edhe me një dokument propozim që ishte një bebe e vdekur që në lindje nëse lihet ashtu, prandaj na duhet vërtet ta marrim si një dokument pune për ta korrigjuar atë dhe për të korrigjuar dhe gabimin siç tha zonja Fajon.”

Të pyetur se cila është rruga përpara, për të arritur përparim për të dyja palët, edhe për vendet skeptike anëtare edhe për vendet e Ballkanit që presin?

Fajon tha se, “pikë së pari kemi një Presidencë kroate që e po e vë çështjen e zgjerimit lart në agjendë, dhe kjo është një gjë pozitive. Kemi institucione të reja, kompozime të reja, pra ka disa dinamika pozitive. Unë shpresoj që pas vendimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ne të mund të shohim edhe zgjedhje të ndershme, demokratike dhe të hapura në Serbi ku do të ketë zgjedhje, në mënyrë që të kemi edhe më shumë stabilitet në rajon. Dhe ky stabilitet por dhe angazhimi i udhëheqësve rajonalë në ndjekjen e reformave do të përbëjë sigurisht edhe një garanci për ne në anën e BE-së që ne të mund të mbështesim zgjerimin e mëtejshëm e të punojmë ngushtë me durim, urtësi e me bashkëpunim të afërt.”

Ndërsa Kukan u shpreh se “unë nuk mendoj se na duhet të sjellim dokumente të rinj apo mjete të reja. Por le të korrigjojmë gabimin dhe të nisim me zbatimin i cili është i përcaktuar shumë qartë në letër.” e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.