BRUKSEL – NATO: Moska nuk është shënjestër manovrave ushtarake amerikane në Europë

BRUKSEL, 3 shkurt /ATSH-AFP/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi sot se Rusia nuk ishte shënjestër e një manovre ushtarake amerikane me përmasa të mëdha në Europë, në një deklaratë.

Quajtur “Defender-Europe 20”, bëhet fjalë për manovrën më të madhe amerikane në Europë që prej 25 vitesh. Rreth 37 000 ushtarë nga 18 vende do t’i bashkohen kësaj manovre që do të zhvillohet në maj dhe në qershor, kryesisht në Gjermani, Poloni dhe në shtetet balltike.

Anija e parë, britanike, që transportonte materialin, u prit sot në portin belg “Anvers”.

Pas disa viteve të reduktimit të efektivëve ushtarakë në Europë që prej fundit të Luftës së Ftohtë, ky dispozitiv i jashtëzakonshëm ushtarak reflekton ndryshimin strategjik të shkaktuar nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

“Rreth 20 000 ushtarë amerikanë shtesë do t’i bashkohen 9 000 trupave që ndodhen tashmë në tokën europiane në kuadër të këtij dispozitivi për të treguar fuqinë ushtarake të SHBA-së”, nënvizoi në dhjetor gjenerali amerikan, Christopher Cavoli gjatë prezantimit të tij.

“Kjo manovër ilustron angazhimin e fortë të SHBA-së ndaj NATO-s për lirinë dhe sigurinë e Europës”, nënvizoi Jens Stoltenberg.

“Kjo manovër ushtarake nuk drejtohet kundër asnjë vendi dhe duhet të tregojë kapacitetin tonë për vendosjen sa më shpejt të forcave amerikane në Europë për të ndihmuar në mbrojtjen e aleatëve të NATO-s, në rast nevoje”, shtoi ai.

“NATO është një aleancë mbrojtëse dhe bëhet fjalë vetëm për një manovër mbrojtëse. Ne nuk kërkojmë përballje me Rusinë, por realiteti është se aktivitetet e fundit të këtij vendi kanë ulur stabilitetin dhe sigurinë”, deklaroi Stoltenberg./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.