Bardhi në Gjirokastër: Me zgjedhje të lira e të ndershme, do t’i japim fund këtij pushteti

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ – Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, zhvilloi një takim me strukturat e PD-së në Qarkun e Gjirokastrës ku u shpreh se, me zgjedhje të lira e të ndershme, do t’i japim fund këtij pushteti të babëzitur, që nuk di të bëjë asgjë përveçse të vjedhë.

“Qarku i Gjirokastrës duhet të ishte kryeqendra e zhvillimit ekonomik për jugun e vendit, por mungesa e investimeve, korrupsioni dhe paaftësia e qeverisë e kanë trajtuar këtë zonë si të dorës së dytë. Në 6 vjet kjo qeveri ka tradhëtuar interesat e qytetarëve, i ka varfëruar ata, i ka detyruar të largohen”-, tha Bardhi.

Ai shtoi se, “me demokratët e Gjirokastrës, Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës dhe Memaliajt, shprehëm shqetësimin se vazhdimi i kësaj situate do të sjellë shkretimin e mëtejshëm të qyteteve dhe fshatrave. Vetëm këtë vit në Universitetin e Gjirokastrës janë mbyllur 4 degë. Më pak të rinj që studiojnë do të thotë më pak zhvillim, më shumë emigracion”.

“Bashkë me demokratët e përkushtuar të Gjirokastrës, Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës dhe Memaliajt do ta ndryshojmë këtë realitet. Me zgjedhje të lira e të ndershme, do t’i japim fund këtij pushteti të babëzitur, që nuk di të bëjë asgjë përveçse të vjedhë. Qytetarët e Gjirokastrës, Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës dhe Memaliajt meritojnë një qeveri që prioritet të vetëm ka mirëqenien e tyre”-, përfundoi Bardhi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.