Anti KÇK/ Operacioni Forca e Ligjit aksion në Shijak

TIRANË, 3 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/- Operacioni Forca e Ligjit ka nisur punën nga Shijaku me një operacion që ka nisur mëngjesin e të hënës.

Policia e Shtetit konfirmon për ATSH se Oficerët e Policisë të Operacionit Forca e Ligjit kanë nisur një aksion në Shijak, për të sekuestruar pasuritë e fisit të Hajrave, mes tyre dhe resorti ku i mbajt peng Jan Prenga (i rrëmbyer në Kamëz), i cili më pas u dhunua për vdekje. Për ngjarjen e rëndë të Jan Prengës janë vënë në pranga disa persona, mes të cilëve vëllai dhe babai i Altin Hajrit, Leonard dhe Bajram Hajri.

Policia ka dyshime se pengmarrja dhe më tej vrasja e Jan Prengës në kompleksin ‘Golden’ në Shijak, është bërë për shkak të prishjes së pazareve të drogës, pasi vëllai i Prengës në Angli merrej me trafik kokaine dhe ka cenuar interesat e grupeve kriminale në Shqipëri me bazë në Vlorë, Shijak dhe Shkodër, pjesë e të cilëve dyshohet të jetë edhe Altin Hajri.

Policia konfirmon për ATSH se “i ka dërguar familjes Hajri formularin për të justifikuar pasurinë, pasi dyshohet se ajo është ngritur nga veprimtari kriminale. Gjatë operacionit janë sekuestruar nga efektivët e “Operacionit Forca e Ligjit”, veç kompleksit “Golden” edhe tre shtëpi dhe 1 pikë karburanti në pronësi të familjes Hajri.  Sekuestrimi i pasurisë në këtë rast parashikohet në nenin 19 të ligjit Anti-KÇK që vjen drejtpërdrejt nga Policia e Shtetit pasi konsiderohet si rast emergjence”.

Gjithashtu, policia pohoi se “12 drejtoritë vendore të policisë kanë përgatitur një listë me emrat e gjithë personave që preken nga ky akt normativ dhe ia kanë përcjellë departamentit të policisë kriminale dhe më pas kjo listë do t’i kalojë edhe SPAK, si organi që ka kompetencë të zhvilloj hetimin e plotë mbi dyshimet e ngritura “kryesisht” nga Policia”.

Sipas aktit normativ të miratuar nga qeveria, të gjithë të dyshuarit do duhet të dorëzon formularin e vetë-deklarimit. Ky formular do duhet që brenda 15 ditësh të hetohet nga SPAK dhe më pas brenda 15 ditësh të tjera duhet të merret një vendim nga Gjykata.

Ligji Anti-KÇK kaloi me akt normativ nga qeveria të premten e kaluar, dhe brenda 45 ditësh kuvendi duhet të shprehet, por ligji e merr fuqinë nga momenti kur u votua në Këshillin e Ministrave.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.