Anti KÇK/ Forca e ligjit tjetër operacion, Hodaj: Asnjë marrje kompetence të SPAK-ut, pas urdhër sekuestros së pasurisë gjykata jep vendimin

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ – Zv-ministri i Brendshëm, Julian Hodaj gjatë një interviste televizive foli për fillimin e aksionit të parë të ‘anti- KÇK’ duke thënë se sot është bërë një aksion ku një familjeje i janë sekuestruar një resort dhe disa pallate.

I pyetur për listën e subjekteve që do sekuestrohen Hodaj tha se, “ka një listë që ka ekzistuar prej kohësh, por nuk ka rëndësi se sa është numri në këtë listë. A janë 50, 100 apo 250 nuk ka rëndësi. Nesër do të ketë një tjetër aksion”.

Hodaj gjithashtu shpjegoi sesi do zhvillohen këto aksione ku u shpreh se, “po marr rastin e sotëm. Një nga personat që ka resortin ka qenë i dënuar në Itali për trafikim. Sot u lëshua urdhër sekuestro urgjence. Urdhri për 24 orë çohet te SPAK që ka dy opsione, ose e shfuqizon ose e çon në Gjykatë për vlerësim. Gjykata vendos nëse e sekuestron apo jo. SPAK jep pergjigje brenda 5 ditësh. Gjykata ka 15 ditë për të vendosur, nëse do vendos sekuestron. Nëse personi e bind Gjykatën që e ka me burime të ligjshme, i kthehet sendi”.

“Ky shpjegimi kaq i thjeshtë tregon që nuk ka asnjë mbivendosje apo marrje e kompetencave të Spakut, siç po bëhet zhurmë në media”-, përfundoi Hodaj.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.