Siguria ushqimore/ Drejtori i AKU-së për ATSH-në: Po asistohemi nga BE, brenda vitit inspektimet si të institucioneve homologe europiane

TIRANË, 29 janar /ATSH/-Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, (AKU) po asistohet nga Bashkimi Europian dhe brenda këtij viti, procedura e inspektimit do të kryhet njësoj si institucionet homologe në vendet e BE-së, për arritjen e standardave të sigurisë ushqimore sikurse janë në vendet e BE-së.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) Robert Lili, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, u shpreh se fokusi i këtij fillimviti për AKU kanë qenë pikat e kalimit kufitar.

“Duke ditur që këto pika janë portat hyrëse e të gjithë produkteve ushqimore që hyjnë në tregun shqiptar, atëherë ne kemi rritur vëmendjen dhe kemi shtuar kontrollet rigoroze që të parandalojmë hyrjen në tregun shqiptar të produkteve jo konform legjislacionit”- tha Lili.

Vetëm gjatë muajit janar, janë kryer në terren në rang vendi 1726 inspektime. Janë vendosur 26 gjoba me vlerë 2.2 milionë lekë dhe janë asgjësuar 2.76 tonë produkte ushqimore jashtë standardeve për konsum.

Drejtori i AKU-së theksoi se, një element tjetër shumë i rëndësishëm për vitin 2020 është edhe ristrukturimi i AKU-së. Për këtë qëllim, AKU po asistohet në mënyrë permanente nga  projekti i BE dhe konkretisht projekti irlandez që asiston dhe monitoron çdo veprim të AKU-së, për arritjen e standardeve të sigurisë ushqimore sikurse janë në vendet e BE-së.

“Asistenca e projektit të BE-së konsiston në përmirësimin e listave të verifikimit të kontrolleve zyrtare të ushtruara nga AKU dhe hartimin e miratimi i ISOPEVE (procedura standarde e inspektimit). Kjo do të bëjë që AKU brenda vitit të kryejë veprimtarinë e saj në bazë të procedurave siç i kryejnë institucionet homologe në vendet e BE-së”- tha ai.

Në prioritet të punës për këtë vit AKU ka edhe bashkëpunimin me konsumatorin.

“Ne e vlerësojmë konsumatorin si inspektorin real të sigurisë ushqimore. Të rrisim garancinë për sigurinë ushqimore në vend dhe mbrojtjen e konsumatorit” është sfida e përbashkët jo vetëm e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit por edhe e të gjithë grupit të bizneseve që operojnë në vendin tonë, si ato prodhuese përpunuese dhe importuese të produkteve me origjinë shtazore dhe joshtazore”, – shprehet Lili.

Ai thekson faktin se Operatorët e Biznesit Ushqimor në vend kanë arritur një nivel standardi shumë të lartë investimesh. “Financimet e këtij sektori janë investimet ndër më të mira edhe në rajonin tonë. Standardet e arritur në këto stabilimente kryesisht të prodhimit dhe përpunimit të qumështit, mishit, peshkut  janë të standardeve dhe nivelit të të lartë dhe këto biznese janë certifikuar dhe eksportojnë këto produkte edhe në vendet e BE-së”- tha Lili. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.