Meta përshëndet marrëveshjen për bashkëqeverisje në Kosovë: Në interes të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit

TIRANË, 2 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/- Presidenti Ilir Meta përshëndeti sot marrëveshjen për bashkëqeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kosovës.

Presidenti Meta i uroi suksese qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

“Përshëndes ngrohtësisht arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje të Lëvizjes Vetëvendosja (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si dy parti fituese të zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit 2019 në Kosovë”,- theksoi Meta.

“Një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti i uroj suksese dhe arritje sa më të mëdha në të mirë të Kosovës në sfidat që e presin”-, nënvizoi Meta në mesazhin e tij.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar sot zyrtarisht marrëveshjen për bashkëqeverisje. Kurti tha se Qeveria do të ketë 15 ministri dhe 33 zëvendësministra. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.