MEPJ dhe përfaqësitë e RSH-së në Pekin e Ankara realizojnë me sukses evakuimin nga Wuhan të studentes shqiptare

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm me Ambasadat shqiptare në Pekin dhe Ankara, kanë punuar intensivisht për të finalizuar me sukses largimin nga Wuhan të studentes shqiptare Silva Doçi, e cila mbeti e izoluar brenda ambienteve të kampusit universitar në këtë qytet, pas masave të marra për izolimin e tij në 23 janar 2020.

Në një njoftim për shtyp, MPJ bën të ditur se “duke e ndjekur me prioritet çështjen e studentes shqiptare, në kushtet e vështira kur askush nuk mund të hynte apo dilte në Wuhan, MPJ prej ditësh ka qenë në kontakte me palën turke, duke i paraqitur kërkesën zyrtare për të përfshirë edhe studenten shqiptare në operacionin e largimit të ndërmarrë për shtetasit turq që jetonin në Wuhan”.

“Në vijim të komunikimeve, pala turke u dakordësua që studentja Silva Doçi të udhëtojë në avionin ambulant turk. Pas përfundimit të procedurave zyrtare me autoritetet kineze për lejimin e largimit të tyre nga Wuhan, avioni nga Kina u nis sot drejt aeroportit ushtarak në Ankara. Studentja shqiptare, Silva Doçi ka kryer të gjitha testet dhe ka dalë negative për virusin nCOV, por udhëtimi i gjatë në një avion me mbi 45 persona të tjerë të evakuuar nga Wuhan, e bën të detyrueshëm qëndrimin e saj në karantinë”, – thekson MPJ.

Sipas MPJ-së, çdo shtetas që del nga provinca Wuhan, është i detyruar t`i nënshtrohet një regjimi mjekësor karantine 14 ditor para se të lëvizë lirshëm.

“Për këtë fazë evakuimi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vazhdoi kontaktet e pandërprera me Ministrinë e Jashtme turke, me qëllim vijimin e regjimit të karantinës së studentes shqiptare në Turqi”, – shprehet MPJ.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme po ndjek dhe do të vazhdojë të ndjekë të gjithë procedurën e evakuimit të studentes shqiptare, deri në mbërritjen e saj pranë familjes në Shqipëri./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.