Durrës/ Brenda muajit mars përfundon riparimi i 175 apartamenteve të dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Kryeministri i vendit, Edi Rama ndoqi sot në Durrës nga afër punën për riparimin e dëmeve në pallatet e padëmtuara në strukturat mbajtëse.

I shoqëruar nga zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda dhe kryetari në detyrë i bashkisë së Durrës, Zhylien Varfi, Kryeministri kërkoi që punimet të vijojnë me intensitet në mënyrë që të përmbyllen në mesin e muajit mars, për këtë godinë me 175 apartamente.

“Fokusohuni njëherë tek familjarët që të paktën familjarët të futen, më pas njësitë tregtare mund të marrim pak më shumë kohë. Por, këta të futen. Besoj se nëse ju e bëni intensivisht punën në shkurt, mes i marsit mund ta mbaroni”, tha Rama.

Më tej, Rama i kërkoi kryetarit në detyrë i bashkisë së Durrësit që “këta të godinave me DS3, duhet ti thërrasësh edhe njëherë. Ti thuash që ju kemi kërkuar edhe njëherë projektet fiks, ua kemi bërë vërejtjet por nuk do ju presim pafund”.

Kryeministri u takua edhe me qytetarët ku u ktheu edhe përgjigje paqartësive të tyre.

“Ne nuk po rrimë. Po bëjmë çdo ditë dhe çdo natë punë dhe ajo që është e rëndësishme është që të garantojmë të gjitha projektet e riparimit. Janë projekte sipas standardeve. Shumë kanë filluar, një pjesë akoma nuk ka filluar sepse i kemi kthyer projektet mbrapsht sepse është shumë e rëndësishme që të gjitha shpenzimet ti paguajnë ata që ua kanë shitur apartamentet. E dyta, që ata t’i bëjnë projektet sipas standardeve. Kështu që duhet pak durim”, tha Rama.

Në vijim të bashkëbisedimit me ta, Rama shtoi se “dy muaj punime nuk janë asgjë në krahasim me atë që na ndodhi ne. Të kuptoj dhe nuk je vetëm. Qiranë e kemi ne. Të gjithë ata që kanë letrën me vendim të këshillit bashkiak, ata janë të garantuar. S’ka asnjë problem dhe në rastet kur pronarët kërkojnë më shumë para, ju thjesht duhet të na bëni ne me dije, edhe ne flasim me ta. Ne nuk po rrimë me duar mbyllur dhe në Itali që janë fuqi e madhe dhe për 10 vjet, 15 vjet po presim që t’iu mbarojë shtëpia. Ne kemi vetëm dy muaj, dhe dy muaj janë 1 minutë në krahasim më të gjithë këtë punë që duhet. Se nuk është vetëm çështja hajde të fillojmë. Të fillojmë çfarë?! Duhet bërë projekti, duhet miratuar projekti, duhet që projekti të jetë sipas standardeve”.

Po ashtu, Rama sqaroi një tjetër banore, së cilës i tha se “ti do të rrish në shtëpi me qera dhe këtë punë do të na e lesh ne. Sepse kjo punë nuk bëhet bëhet sa hap e mbyll sytë.  Kjo punë do kohën e vet. Na e lër ne sepse ne me këtë punë po merremi. Ti je me qira, je në rregull. Je atje dhe prit. Kur të vijë dita që do të rregullohet shtëpia, do të kthejmë në shtëpi. Kaq e thjeshtë është. Ne po kërkojmë që ata që do të merren me ata që ndërtojnë shtëpinë të bëjnë merimetim të thellë, jo të vijnë sikur po bëjnë merimetime dhe të futeni në shtëpi pastaj të bjerë muri prapë. Kështu që, ne atyre po u kërkojmë projekte të thella dhe mermetimi monitorohet nga ne që të jetë i saktë siç u bë këtu”.

Kryeministri u shpreh se “ janë bërë me mijëra verifikime. Të gjitha do të verifikohen. Nëse nuk kanë ardhur tek ty do të presësh kur te vijë radha se janë mijëra shtëpi dhe ndërkohë që nëse ke ankesë për këtë gjë, nga dita e hënë në të gjitha bashkitë po bëhen të gjitha listat. Do të shkosh në Njësinë Administrative dhe do të kërkosh emrin tënd”.

“Puna ka filluar por nuk bëhen dot të gjitha përnjëherë sepse nuk kemi aq njerëz dhe aq mundësi sepse nuk i ka askush në botë saç janë apartamente. Ne gjërat do t’i bëjmë me radhë. Firma e ndërtimit do t’i bëjë të gjitha instalimet, të gjitha gjërat siç duhet që ti të vish e të rrish”-, u shpreh Rama.

Nga ana e saj, zv.ministrja Voda tha se “këtu jemi në një nga godinat që në këtë procedurën këtu të lejeve, subjekti ndërtues ka marrë lejen. Kemi 175 apartamente”.

Kryetari i bashkisë së Durrësit u shpreh se, “është një dëm që nga akti i konstatimit ka dalë në DS2. Kanë filluar punimet dhe kanë bërë deklarimet për fillimin e punimeve që me datë 10 janar. Jemi në këtë situatë tani, që këtu në shumë pak kohë këto apartamente që janë në këtë godinë kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme dhe kthehen të banueshme”.

Më tej, ai informoi se “nga mesi i marsit këta thonë që do e dorëzojnë dhe nga 58 leje që kemi lëshuar ne si departament i Urbanistikës, përveç 140 lejeve me neni 6, me vetdeklarim bëjnë rreth 1152 apartamente që për një periudhë kohë 2 maksimumi 3 mujore, këto rikthehen që të gjitha të banueshme.

Referuar shifrave të bëra publike gjatë inspektimit, u tha se deri tani, në Durrës, 2496 familje kanë përfituar nga bonusi i qirasë dhe kjo listë përditësohet çdo ditë. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.