Të hënën votohet Qeveria e re e Kosovës/ Konjufca: Nuk është koha e dorëheqjeve, por e emërimeve

PRISHTINË, 31 janar /ATSH/ – Kryesia e Kuvendit të Kosovës me datën 3 shkurt ka caktuar mbajtjen e seancës për votimin e kabinetit qeverisës nga mandatari për kryeministër, Albin Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje me LDK, derisa la të kuptohet se nuk do të japë dorëheqja nga pozita e kryeparlamentarit.

“Mbledhja e kryesisë ka vendosur që seanca plenare për krijimin e Qeverisë së Kosovës të mbahet të hënën më 3 shkurt në ora 11:00”, u shpreh Konjufca.

Kryeparlamentari foli edhe për marrëveshjen eventuale të Lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike, ku u shpreh optimist për një gjë të tillë.

Për mundësitë e dorëheqjes së tij nga pozita e kryetarit të Kuvendit, Konjufca deklaroi se është koha e emërimeve dhe jo e dorëheqjeve.

“Nuk mendoj që në Kosovë është koha e dorëheqjeve, por e emërimeve”, tha ai.

Ndërkaq, VV dhe LDK nuk kanë arritur akoma një marrëveshje për koalicion.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.