Çupi: Veliaj largon me dhunë tregtarët e Tregut Elektrik në Tiranë

TIRANË, 31 janar /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e PD-së Dhurata Çupi denoncoi sot tek hyrja e Tregut Elektrik në Tiranë dhunën e ushtruar ndaj tregtarëve, ku sipas saj përgjegjës është Erion Veliaj.

Çupi tha se tregtarët e Tregut Elektrik në Rrugën e Elbasanit po hidhen në rrugë për shkak të interesave klienteliste, sipas saj, të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Çupi tha se “ka qenë një njësi ekonomike e qëndrueshme, një ndihmë për shërbimin publik, por edhe për familjet e këtyre tregtarëve. Janë me qindra tregtarë që këtu kanë shitur çdo ditë në 20 vite; kanë mbajtur familjet e tyre; kanë shkolluar familjet e tyre; kanë mbajtur ekonominë familjare dhe sot kanë dalë në rrugë. Nuk u është njoftuar asnjë vendim, asnjë akt administrativ ku do të transferohen. Nuk janë njoftuar paraprakisht, në mënyrë krejt të dhunshme, pa njoftim paraprak, pa transparencën e duhur nga bashkia e Tiranës”.

“Tregtarët sot janë në rrugë, kanë miliona mall që nuk kanë ku t’i lënë, i kanë hedhur në rrugë, është dëmtuar malli i tyre, djersa e tyre. Dhe ky treg mbyllet vetëm për një shkak, sepse do t’i shërbehet, do t’i vihet në dispozicion oligarkut të radhës, të enturazhit të Erion Velisë me shokë. Ne të gjithë e dimë që qytetarët e Tiranës nuk e kanë besuar si kryetar bashkie Erion Velinë dhe kjo është ajo çfarë ua përkthen në dhunë dhe në pashpirtësi”, tha ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.