BRUKSEL – Sassoli: PE pret fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe MV

BRUKSEL, 31 janar /ATSH-MIA/ – Parlamenti Europian pret fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, theksoi sot kryetari i Parlamentit Europian, David Sassoli, në një konferencë shtypi në kuadër të Brexit.

I pyetur nga gazetarët se çdo të thotë Brexit-i për politikën e zgjerimit të BE-së, kryetari Sassoli kujtoi se para disa ditëve kishte realizuar një takim me të gjithë kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Shpresojmë për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe MV. Është e nevojshme që të hymë në dialog, na presin aq shumë ndryshime ekonomike, sociale, të sigurisë, të cilat na prekin të gjithëve dhe bisedimet me kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin shumë të rëndësishme”, deklaroi Sasoli.

Kryetari i Parlamentit Europian dërgoi një porosi të qartë edhe për euroskeptikët në Britaninë e Madhe, por edhe në Bashkimin Europian.

“Ka forca që përpiqen ta dobësojnë BE-në, cila është axhenda e tyre? Ne jemi ekonomia më e madhe në botë dhe dëshirojmë që të vendosen rregulla sepse rregullat na ndihmojnë që t’i mbrojmë qytetarët më të ndjeshëm, pa rregulla sundon ligji i xhunglës, pa rregulla më të prekurit do të shtypen nga më të fuqishmit, e ky nuk është Bashkimi Europian”, deklaroi Sassoli duke shkaktuar një duartrokitje të zëshme në sallën e konferencave të shtypit./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.