Pasojat e tërmetit/ Basha: Asnjë masë në ndihmë të biznesit

TIRANË, 30 janar /ATSH – I. Vata/- Kryetari i PD-së Lulzim Basha në një takim me përfaqësues të biznesit në Durrës tha sot se ka nisur dimri ekonomik, falimentimi i bizneseve është 25% më i lartë.

Basha tha se “tërmeti ka patur ndikim të drejtpërdrejtë tek ekonomia, tek rënia e konsumit, tek indikatorët që po shohim dhe se si po ndikon tek ekonomia e Durrësit dhe tek zonat e tjera të goditura, dhe padyshim, si e përcjell këtë në Tiranë”.

Po ashtu, Basha shtoi se “dy muaj më parë, pas bisedës tonë të parë ne bëmë një plan me pesë pika duke marrë përvojën italiane. Dhe i kërkuam qeverisë të merrte pesë masa të thjeshta: Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura. Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e riinvestojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit. Përjashtimin nga TVSH për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore”.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.