Ndryshime në ligj pas tërmetit/ Balluku: Auditim teknik ndërtesave që janë ndërtuar 50 vite më parë

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u  shpreh sot, se ndryshimet në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit të ndryshuar”, synojnë forcimin e masave në sektorin e ndërtimit, pas situatës që kaloi vendi nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në fjalën e mbajtur sot në seancën plenare të Kuvendit, Balluku tha se, “projektligjit për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit të ndryshuar”, sillet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si propozim për ndryshime, pasi viti 2019 do të mbahet mend për goditjet e një pas njëshme të tërmeteve dhe me në krye atë të 26 nëntorit, që përveç tragjedisë së humbjes së dhjetëra jetëve të qytetarëve na tregoi dhe një sërë problematikash të cilat dolën dukshëm në sipërfaqe”.
Balluku theksoi se, “këto ndryshime duhen bërë menjëherë dhe kryesisht konsistojnë në saktësimin e terminologjisë së përdorur në ligjin ekzistues duke krijuar kështu një kuadër të qartë ligjor i cili sanksionon përgjegjësinë e secilit aktor dhe vendos një herë e përgjithmonë ndarjen e detyrimeve dhe të përgjegjësive, si për shembull, mes investitorit apo zhvilluesit, apo kush ka përgjegjësinë nga agjencitë të cilat licencojnë dhe kontrollojnë ndërtimet sot”.
Ashtu sikundër e përmenda dhe më lart, vijoi ajo, eksperienca dramatike e 26 nëntorit na ka bërë të identifikojmë pikat e dobëta në të gjitha kategoritë e ndërtimeve, qofshin private, apo publike.
“Të gjitha këto ndërtesa, por kërkesa për ndryshime në këtë ligj në kushtet e kësaj emergjence ku ne duhet të parandalojmë dhe thjesht jo të ndërhyjmë për riparime apo për ndërtime, na bën që të kërkojmë disa ndërhyrje imediate siç është auditimi teknik i të gjitha ndërtesave të cilat janë ndërtuar 50 vite e më shumë”, – tha ministrja, ndërsa nënvizoi se, “kjo pasi kemi identifikuar që një pjesë e mirë e ndërtesave të ndërtuara edhe para viteve ’70-të kanë jo më qëndrueshmërinë e mëparshme dhe disa të ndërtuara në kushtet e punës vullnetare apo pa studime të mirëfillta sot kanë marrë goditje dhe dëme, të cilat pavarësisht se nuk janë të dukshme duhet të auditohen menjëherë për të krijuar kështu një mundësi parandalimi të çdolloj tragjedie tjetër në të ardhmen”.
“Ky ligj ka pak ndryshime, por ka ndryshime esenciale të cilat do të na ndihmonin qeverinë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, Institutin e Ndërtimit, Ministrin për Rindërtim, për të bërë ndërhyrjet e menjëhershme qoftë në identifikim apo në pjesët e rindërtimit dhe të ndërtimit të ndërtesave të cilat janë prishur, rrënuar apo dëmtuar. Kërkoj që ta votoni këtë projektligj me ndryshimet e tij,” u shpreh Balluku. e.xh/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.