Borrell në Kosovë: BE nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor

PRISHTINE, 30 janar/ATSH/- Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell ka folur sot në vizitën e tij të parë në Kosovë lidhur me procesin e dialogut me Serbinë dhe marrëveshjet për hapjen e linjës ajrore dhe hekurudhat, me ndërmjetësimin e emisarit amerikan Richard Grenell.

Gjatë një konference për media pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, kryediplomati spanjoll tha se nuk është detyrë e tij që të bindë pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën, por pjesë e detyrës së tij si diplomat është ndërmjetësimi në procesin e dialogut.

“Ne kemi shumë njerëz të angazhuar në Kosovë dhe kemi arritur të krijojmë një angazhim. Ne nuk jemi larg procesit, por jemi shumë të kyçur në proces, ndoshta nuk jemi shumë të zëshëm, por jemi shumë të involvuar. Janë pesë shtete që nuk e njohin Kosovën. Nuk është detyra e imja t’i bindi ato. Unë përfaqësoj si një njeri që është përgjegjës për politikën evropiane që të lehtësojë negociatat në mes të Serbisë dhe Kosovës, sepse problemi mund të zgjidhet në negociatat e këtyre  vendeve dhe marrëveshja do të ndodhë vetëm kur ka pajtim mes këtyre vendeve. Ajo që dëshirojmë është të arrijmë të lehtësojmë dialogun”, u shpreh Borrell.

Gjithashtu, kryediplomati spanjoll tha se nuk duhet lejuar një Ballkan të ndarë jashtë familjes europiane.

“Bashkimi Europian nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor dhe dëshirojmë të sigurojnë stabilitet dhe siguri për secili, pasi këto janë prioritete dhe në interesin tonë. Nuk do t’ia lejojmë vetes që të kemi Ballkanin të ndarë dhe nuk kemi mundësi që vendet të jenë të ndara nga njëra-tjetra dhe të ndalohen vuajtjet që kanë ndodhur nëpër botë”, u shpreh Borrell.

Kryediplomati europian, i cili në këtë detyrë vjen në vend të Federica Mogherinit, pati edhe një porosi sa i përket formimit të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit.

“Kosovarët janë të lirë të vendosin për fatin e vet dhe është çështje të vendosin për qeveri e jo të bisedojnë me ne për qeveri, është çështje e tyre. Dëshirojmë të shohim se po krijoni një qeveri sa më parë dhe jam i lumtur që presidenti më tregoi se kjo do bëhet dhe do të ndihmojë sa më shpejt të fillojnë negociatat”, tha Borrell.

Ndërkohë që Kosova vazhdon të mbetet pa viza drejt vendeve europiane, Josep Borrell tha se “i ka përmbushur të gjitha kushtet për heqjen e regjimit të vizave, por tha se nuk mund të premtojë  se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

“Komisioni Europian konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha konditat për liberalizim të vizave dhe është koha e duhur të përfundohet me kërkesa teknike”, u shpreh Borrell.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se SHBA dhe BE plotësojnë njëra-tjetrën në ndihmën për Kosovën.

“Qytetarët e Kosovës gjithmonë i janë mirënjohës BE-së dhe SHBA-së dhe NATO-s. Kosova si shtet i ri është shtet mik i SHBA-së dhe do të jetë partnerë strategjikë”, tha presidenti Thaçi.Duke folur për procesin e dialogut, presidenti Thaçi tha se marrëveshja finale Kosovë-Serbi është jetike për paqen në Ballkanin Perëndimor./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.