Berat/ BERZH mbështet programin e turizmit për zhvillimin ekonomik lokal

TIRANË, 30 janar /ATSH/- “Programi i Turizmit për zhvillimin ekonomik lokal”, ishte fokus i një takimi që u zhvillua në Berat, me pjesëmarrjen e bizneseve të cilët operojnë në sektorin e turizmit në këtë zonë dhe mbështetjen e Bashkimit Europian.

Në fjalën e tij përshëndetëse, përfaqësuesi i delegacionit te Bashkimit Evropian, në Shqipëri Enzo Damiani, theksoi rëndësinë e këtij programi për zhvillimin e një sektori të qëndrueshëm të turizmit në katër rajonet që programi mbulon si dhe theksoi impaktin shumë pozitiv për zhvillimin e SME-ve të turizmit nga mbështetja dhe asistenca teknike e ofruar nga këshilla për Bizneset e Vogla të BERZH.

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo prezantoi prioritetet e Bashkisë Berat për zhvillimin e sektorit të turizmit, duke përmendur disa nga projektet kryesore të nisura për përmirësimin e infrastrukturës në zonën historike të qytetit si dhe vlerësoi mundësinë që po i ofrohet bizneseve të vogla dhe të mesme nga ky program për të patur akses në shërbimet e konsulencës për të rritur standardet dhe konkurrueshmërinë me bizneset brenda dhe jashtë vendit.

Ndërsa Ilir Basha nga BERZH u ndal tek katër drejtimet kryesore të programit siç janë asistenca teknike me fokus turizmin, rehabilitimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, ndërtimi i infrastrukturës bashkiake/të transportit, financimi i BERZH nëpërmjet Institucioneve Financiare Partnere për hua për SME-të.

Neritan Mullaj nga BERZH bëri një prezantim më të detajuar të Këshilla për Bizneset e Mesme dhe të Vogla, financuar nga Bashkimi Evropian duke pasqyruar arritjet e këtij programi deri më sot, impaktin që kanë patur projektet e konsulencës tek SME-të e mbështetura si dhe shpjegoi hapat që ndiqen për të përfituar nga kjo mbështetje.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.