Albin Kurti kërkon caktimin e seancës së Kuvendit për votimin e qeverisë

PRISHTINË, 30 janar /ATSH/ Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar Kryesisë së Kuvendit kërkesën për caktimin e seancës plenare për votimin e përbërjes së qeverisë së re.

Kryesia do të mblidhet nesër në ora 9.00, për të shqyrtuar kërkesën e Albin Kurtit.

“Kërkesa e kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, për thirrjen e seancës plenare të Kuvendit për votimin e përbërjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas afatit kushtetues, Albin Kurti ka edhe pesë ditë për t’ia propozuar për votim Kuvendit kabinetin qeverisës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK nuk arritën marrëveshje as në takimin e djeshëm, ku morën pjesë edhe ambasadorët e Britanisë së Madhe e të Gjermanisë. Takimi u mbajt në Kuvendin e Kosovës për më shumë se tre orë mes liderëve të LVV-së, Albin Kurti, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe ambasadorëve të QUINT-it.

Isa Mustafa pati deklaruar para mediave se LDK mbetet te oferta e tyre që ia kanë bërë LVV-së.  “Mbesim të hapur në qoftë se LVV si parti e parë i pranon kërkesat tona. Jemi të gatshëm që në çdo kohë të lidhim marrëveshje”, tha Mustafa. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.