TIRANË, 29 janar /ATSH/ -Qytetarët shqiptarë së shpejti do të mund të udhëtojnë pa viza në Guajana.
Në Ambasadën e Shqipërisë në Uashington DC u firmos marrëveshja mbi “përjashtimin nga kërkesat për vizë për mbajtësit e pasaportave diplomatike, të shërbimit dhe të zakonshme midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Bashkëpunuese të Guajanës”.
Marrëveshja u nënshkrua nga ambasadorët respektivë të vendeve në Uashington DC, ku për Shqipërinë u firmos nga ambasadorja në SHBA, Floreta Luli-Faber.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje ishte rezultat i një përpjekjeje të gjatë në kuadër të realizimit të qëllimit të qeverisë shqiptare për rritjen e numrit të vendeve ku shqiptarët mund të udhëtojnë pa viza.
Pas firmosjes, kjo marrëveshje kalon në proces aprovimi në Parlament dhe hyn në fuqi pasi të jenë plotësuar procedurat e brendshme të ratifikimit nga të dyja vendet.
Ambasada e Shqipërisë në DC thekson se, po punon intensivisht për nënshkrimin e një numri marrëveshjesh me vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore.
/gj.mima/