KPK konfirmon në detyrë prokurorin Anton Martini, kandidat për SPAK

TIRANË, 29 janar /ATSH/ -Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, konfirmon në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martini, njëherësh kandidat për SPAK.

Vendimi erdhi pas dy seancave dëgjimore të  mbajtura me 10 dhjetor 2019 dhe 27 janar 2020.

Dy ditë më parë, Anton Martini doli për herë të dytë para KPK, pasi hetimi ndaj tij u rihap pas një denoncimi për punën e kryer si drejtues i prokurorisë në Shkodër.

Në padinë e tij, denoncuesi ngrinte dyshime se subjekti i ka hequr dosjet hetimore disa prokurorëve, duke ia kaluar disa të tjerëve, ndërkohë që të parët nuk ishin dorëhequr.

Para KPK-së, Martini tha se, ka drejtuar prokurorinë e Shkodrës prej muajit nëntor 2017 deri në qershor 2018, dhe se është munduar të japë kontributin e tij.

“Në Shkodër mora informacion se eksponentë të krimit ndikonin tek prokurorët. Për këtë shkak unë inkurajova prokurorë oficerët. Aplikova metodat proaktive për të zbardhur disa ngjarje si vrasje me shpërthime me tritol apo tjetërsim pronash në bregdet.” u shpreh Martini ndërsa theksoi se prokurori nuk kishte certifikatë sigurie e për këtë arsye ka kryer ndarjen në seksione.

Sot trupa gjykuese e KPK e përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Etleda Çiftja, Pamela Qirko vendosi konfirmimin në detyrë të Prokurorit Anton Martini.

Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Në vitin 2015, Martini u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, vendim të cilin ai e kontestoi për parregullsi. Në qershor 2018, Martini u rikthye në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Prokurori Anton Martini është renditur i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Barriera e fundit e tij për të marrë emërimin në SPAK,  ishte Vetingu. /gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.