GJERMANI – Steinmeier & Rivlin: Holokausti nuk duhet harruar

BERLIN, 29 janar /ATSH–ANSA/ – Presidentët e Gjermanisë dhe Izraelit, Frank-Walter Steinmeier dhe Reuven Rivlin, kërkuan mbajtjen gjallë të kujtesës për Holokaustin, pasi kjo, sipas tyre, do të parandalonte përsëritjen e kësaj barbarie.

Steinmeier u tha studentëve në gjimnazin ”Moses Mendelssohn” në Berlin se ai mendonte se ishte thelbësore për njerëzit që të vizitonin ish-kampet naziste të vdekjes, Izraelin dhe memorialin e Holokaustit ”Yad Vashem” si dhe njohjen e fakteve historike.

“Edukimi është i rëndësishëm për të gjithë njerëzit për t’u siguruar që ne kurrë nuk do të lejojmë përsëri tmerre të tilla”, theksoi Rivlin, i cili u bashkua me Steinmeier gjatë vizitës në shkollën e mesme hebraike.

Ndërtesa e shkollës së themeluar në 1778, u përdor nga nazistët midis viteve 1942 dhe 1945 si një kamp dëbimi për hebrenjtë e Berlinit.

Filloi të përdoret përsëri si shkollë e mesme hebreje në 1993.

Presidenti izraelit theksoi se ”antisemitizmi, urrejtja dhe racizmi po rishfaqen në të gjithë botën”.

”Vende si Gjermania dhe Izraeli duhet të demonstrojnë se janë në të njëjtën gjatësi vale kur bëhet fjalë për mbrojtjen e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën për të drejtat e pakicave”, deklaroi Steinmeier./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.