Foto/ Përfunduan Shkollën e Magjistraturës, betohen 15 gjyqtarë të rinj

TIRANË, 29 janar/ATSH/ 15 gjyqtarët e rinj të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2018-2019 janë betuar sot në mbledhjen e radhës të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Këshillit, Naureda Llagami, u shpreh se gjyqtarët që betohen sot janë brezi i dytë i gjyqtarëve për të cilët Këshilli ka kryer një verifikim të thelluar të pasurisë dhe figurës, përpara emërimit të tyre. Proces të cilin gjyqtarët nën betim e kaluan me sukses.

Në këtë mënyrë, së bashku me brezin e parë të magjistratëve të emëruar në korrik 2019, në më pak se një vit, sistemit gjyqësor shqiptar i shtohen 25 gjyqtarë me integritet dhe aftësi të larta profesionale.

Duke u uruar sukses për emërimin në detyrë, Llagami, theksoi nevojën që ka shoqëria shqiptare dhe vendi për gjyqtarë profesionistë dhe të përkushtuar në zbatim të Kushtetutës dhe kuadrit ligjor në fuqi.

Menjëherë pas përfundimit të betimit, Këshilli vendosi caktimin në pozicion në gjykatat e vendit të 15 gjyqtarëve të rinj, bazuar në vendet e lira në dispozicion të tyre.

Kështu, Erlanda Agaj caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Marko Boshku caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër. Elisabeta Gjoni caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, Klejda Çapja caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Artur Prenga caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, Mirjan Mustafaj caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, Kostandina Kuro caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Iva Zemani caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Enisa Shahini caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë. Ema Shaholli caktohet në pozicion gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër. Shkëlzen Liçaj caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë. Xhevdet Lika caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër. Ligoraq Toshi caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë. Hazbi Balliu caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër. Florin Demollari caktohet në pozicion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës. /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.