Balluku: Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve zeron problematikat dhe redukton burokracitë

TIRANË,29 janar /ATSH/ Të gjitha shpronësimet që kryhen nga institucionet e ndryshme shtetërore për realizimin e investimeve publike do të centralizohen në një agjenci të posaçme.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh sot se, “ngritja brenda këtij viti e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve për interes publik, do të eliminojë problemin e mbartur të shpronësimeve. Kjo agjenci do të përqendrojë të gjitha procedurat e shpronësimeve, duke garantuar zgjidhje të çdo rasti kur kërkohet shpronësim nga secili institucion shtetëror dhe reduktuar kështu burokracisë në këtë proces”.

Gjatë diskutimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të pr/ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, Balluku theksoi se “respektimi i afateve të kompensimit të shpronësimeve në këtë ligj  janë të përcaktuara qartë, duke i dhënë mundësi pronarëve që të shpronësohen në mënyrë sa më të shpejtë palët. Ky është një proces që sot ne kemi gjyqe të hapura për sa i përket vlerësimit të truallit, gjë e cila do të marr fund”.

Për sa i përket eficiencës së agjencisë, Balluku shpjegoi se, “agjencia është dizenjuar mbi bazën e të gjitha eksperiencave që ne kemi hasur”. “Ne kemi ndërtuar zgjidhje që duhet të ketë çdo problematikë për çdo projekt. Detyrimet, përgjegjësitë dhe gjithçka që kjo agjenci duhet të kryejë janë të bazuara mbi praktikat dhe problematikat aktuale që ne kemi hasur deri më sot”, ndërsa nënvizoi se edhe pjesa e bisedimeve bilaterale për shpronësimet me interes publik, është e parashikuar më së miri në procedurën e kësaj agjencie.

“Agjencia ka të drejtë të hyjë në negociata me subjektet që shpronësohen, për sa i përket vlerës së shpronësimit dhe afatit të shlyerjes së kësaj vlere, duke ulur kështu numrin e çështjeve në gjykatë, pasi do të ngrihet një grup i specializuar për këto çështje”, tha Balluku.

Sipas saj, mbledhja e të gjithë ekspertëve të kësaj fushe që janë të shpërndarë në institucione të ndryshme, do të sjellë një ekspertizë më të specializuar në çështjet e shpronësimeve për interes publik dhe shteti do të ketë një faturë financiare paraprake, përpara se të nisë projektin.

“Krijimi i agjencisë nuk do të ndryshojë çmimin e shpronësimit. Ajo bëhet sipas akteve në fuqi dhe, kur flasim për tokën, ajo bëhet nëpërmjet një VKM-je dhe çmimit referencë të tokës, që është e njëjta që përdor Agjencia e Pronave”, tha Balluku.

e.xh/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.