Projektet e Bankës Botërore/ Angazhimi qytetar, faktor i rëndësishëm në zbatim

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Angazhimi qytetar është një faktor suksesi i rëndësishëm për projektet që financohen nga Banka Botërore në çdo sektor, që nga hartimi e deri tek zbatimi i tyre.

Ndarja e eksperiencave të suksesshme, si dhe mënyrat si të përmirësohet më tej angazhimi qytetar, ishte tema e një seminari dyditor të zhvilluar në Tiranë gjatë ditëve të fundit me përfaqësues të njësive zbatuese të 24 projekteve dhe ekipeve të Bankës nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrësit mësuan mbi përmbajtjen dhe kërkesat që rrjedhin nga angazhimi qytetar, ndanë eksperiencat me kolegët e tyre dhe zhvilluan ide e praktikuan mënyra të përfshirjes së këtij angazhimi në projekte.

Trajnimi u organizua nga ekipi i angazhimit qytetar në Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore. Në një sesion mjaft interesant mbi teknologjinë civile, Robert Bjarnason nga Fondacioni Qytetar Islandez prezantoi pjesëmarrjen online dhe mjetet e votimit që lidhen me të.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.