POLONI – BE diskutime mbi reformën në drejtësi

VARSHAVË, 28 janar /ATSH-DPA/ – Zëvendëskryetarja e Komisionit Europian për Vlerat dhe Transparencën, Vera Jourova do të takohet sot me zyrtarë të lartë politikë dhe gjyqësorë polakë për të diskutuar mbi reformat gjyqësore të vendit dhe shtetin e së drejtës.

Jourova pritet të takojë kryetarët e të dyja dhomave të parlamentit, një zëvendësministër të drejtësisë, Avokatin e Popullit si dhe kreun e Gjykatës Supreme.

“Objektivi im kryesor është të takohem dhe të diskutoj me partnerët tanë mbi çështjet e shtetit të së drejtës, por edhe aspekte të tjera të punës sime si dezinformimi ose ndërhyrja e huaj”, deklaroi Jourova.

“Është shumë e rëndësishmë të bisedojmë gjithashtu dhe për çështje mbi të cilat kemi qëndrime të ndryshme”, shtoi ajo.

Në diskutim janë reformat gjyqësore, që janë prezantuar që në vitin 2015 nga partia qeverisëse polake “Ligj dhe Drejtësi” (PiS).

Reformat kanë shkaktuar mosmarrëveshje mes qeverive të Polonisë dhe Brukselit. / /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.