PE, pozicion të palëkundur për të filluar menjëherë bisedimet me Shqipërinë

TIRANË, 28 janar/ATSH/ “Parlamenti Europian nuk tërhiqet nga pozicioni i palëkundur për të filluar menjëherë gjatë presidencës kroate bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këshilli Europian në fund të muajit mars duhet të hapë dritën jeshile për të dy vendet”.

Kështu deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili nisi një ditë intensive takimesh në Parlamentin Europian, ku takimi i parë ishte me Raporteren për Shqipërinë Isabel Santos. Gjithashtu, Balla u takua edhe me bashkëkryetarin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Manolis Kefalogiannis.

Balla tha se për të rikonfirmuar këtë qëndrim të legjislativit europian, Presidenti i Parlamentit David Sassoli ka ftuar sot pasdite në Bruksel drejtuesit kryesorë të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku me drejtues të vetë Parlamentit Europian, në një takim të nivelit të lartë “Ballkani Perëndimor – Një rrugë shkëmbore për zgjerimin”.

“Ashtu si edhe në Këshillin Europian në tetor të vitit të kaluar, shumica e vendeve anëtare mbështesin fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioni Europian, i cili ka monitoruar nga afër detyrat e shtëpisë për secilin prej vendeve, ka raportuar në Këshill dhe në Parlamentin Europian se dy vendet kanë bërë hapa kurajozë dhe se e meritojnë të kalojnë në fazën finale drejt anëtarësimit”-, tha Balla.

Por, sipas tij, “pozicioni i vendeve anëtare divergjon mbi shpejtësinë dhe axhendën e procesit”. “Miratimi dhe shpallja më 5 shkurt i Metodologjisë së re për Zgjerimin, është një mundësi e mirë për të shuar divergjencat mes vendeve anëtare. Edhe pse historia e BE-së ka dëshmuar se zgjerimi e ka forcuar dhe i ka dhënë energji Bashkimit Europian”, – shtoi Balla.

Megjithatë, sipas tij, “ruajtja e një perspektive të besueshme në perspektivën e anëtarësimit në të ardhmen është vendimtare për vendet e Ballkanit Perëndimor, sikurse edhe për Bashkimin Europian”. “Në Rezolutën e miratuar më 24 tetor nga Parlamenti Europian, eurodeputetët shprehën zhgënjimin e thellë mbi dështimin e një dakordësie mbi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”-, tha ai.

/m.m/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.