Kreditë e buta në Tiranë/ Subashi për ATSH-në: Hapen në fillim të shkurtit, këtë vit përfitues 1 mijë familje

TIRANË, 28 janar/ATSH-Zina Tosku/ Programi i subvencionit të interesave të kredisë nga bashkia e Tiranës do të hapet në fillim të muajit shkurt.

Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social në bashkinë e Tiranës, Anisa Subashi, tha në një intervistë për ATSH-në se, “këtë vit kemi përfitues 1 mijë familje, është një program i cili bëhet bashkë me Ministrinë e Financave”.

Subashi theksoi se “jemi duke përgatitur një draft për sa i përket periudhës së përcaktimit dhe përzgjedhjes së dokumenteve dhe pastaj përzgjedhjes së fituesve. E gjithë proceduara nuk do të zgjasë më shumë se 3-4 muaj”.

“Janë afatet e shkurtra, ndahet në dy faza. Faza e parë, ku qytetarët e Tiranës shkojnë në njësinë administrative dhe plotësojnë formularin ”Tip” që është një formular me vetëdeklarim, ku plotësojnë të dhënat kryesore. Më pas, për një periudhë dyjavore, që mund të shkojë deri në një muaj, formularët e tyre vijnë në Drejtorinë e Strehimit. Qytetarët që dalin fitues në fazën e parë kanë të drejtë të ankimohen brenda një periudhe të caktuar, para se të futemi në fazën e dytë, ku të gjitha ato që kanë deklaruar duhet t’i bashkëngjisin me dokumentet përkatëse. Edhe kjo ka një afat deri në një muaj, ku ne i lëmë afat qytetarëve që të plotësojnë dokumentet përkatëse”, – sqaroi Subashi.

Drejtoresha Subashi u shpreh se “këtë vit qytetarët e Tiranës nuk kanë vetëm një bankë, ku ata mund të shkojnë të shikojnë afate të ndryshme të pagesave, por janë tri banka që ofrojnë këto afate, duke kaluar nga një periudhë nga 360 muaj deri në 420 muaj, që përkthehet 30-35 vjet. Kjo është një risi se vjet kemi pasur vetëm një bankë, ndërsa këtë vit kemi 3 banka”.

Një tjetër risi është se qytetarët mund të tërheqin këto dokumentacione online.

“Një pjesë e mirë e dokumentacioneve mund të tërhiqen programin tonë online në “e-Albania”, tha Subashi. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.