Kostumografia tradicionale e Rrajcës, ripërtërihet tradita e punimit të veshjeve

TIRANË, 28 janar /ATSH/- Në Rrajcë të Përrenjasit, po ripërtërihet tradita e punimit të veshjes tradicionale të zonës, që sot është mjaft e kërkuar jo vetëm nga banorët vendas por edhe nga emigrantët shqiptarë në diasporë.

“Punishtja Artizanale e Rrajcës në Vegje dhe Kostumografi” me mbështetjen e Programit (ReLOaD), i financuar nga BE, synon promovimin dhe trajnimin e vajzave të reja dhe grave me vlerat e trashigimisë kulturore që bart kostumografia tradicionale e kësaj zone.

11 gra dhe vajza nga Rrajca po trajnohen nga artizanet e vjetër me qëllimin për të mësuar teknikat autentike të prodhimit artizanal të kostumografisë-etnografisë.

Veshja tradicionale e Rrajcës është trashëguar brez pas brezi dhe sot është një ndër kostumet që kërkohet shumë nga vendasit por sidomos nga emigrantët që jetojnë jashtë vendit.  Edhe pse është shumë e kushtueshme pasi varion nga 8 mijë euro e deri te 20 mijë euro (në varësi të materialit, detajeve dhe pjesëve të punuara me flori), shumë nuse e kërkojnë për dasma ndërsa të tjerë janë të gatshme ta blejnë. Life Rira artizanje me përvojë në Rrajcë, që ka punuar 40 vjet në punimin e veshjeve popullore dhe ka qepur dhjetra kostume të tilla gjatë gjithë jetës së saj, shprehet se qepja dhe qëndisja e kostumeve tradicionale të Rrajcës, është një punë që të merr shumë kohë pasi këto veshje janë të veçanta që në prerje, qepje dhe aksesorët që e shoqërojnë.

“Ka punime që kërkojnë deri në 2 vjet punë për ta realizuar siç duhet. Kostumi tradicional i Rrajcës është promovuar kudo nëpër botë, në panaire e evente të ndryshme dhe ka fituar edhe mjaft çmime për bukurinë dhe vlerat e tij. Unë i kam dedikuar tërë jetën time këtij kostumi dhe jam krenare që po e përcjell këtë profesion tek vajzat dhe grate e zones”, thotë Rira.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.