Studentët e Gjuhëve të Huaja, ndihmë në përpunimin e dokumenteve arkivore në gjuhë të rralla

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës do të ndihmojnë për përpunimin e dokumenteve arkivore të gjuhëve të ndryshme e të rralla, i cili nis për pak ditë.

Kjo do të bëhet e mundur falë nënshkrimit sot të marrëveshjes mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, e cila u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido dhe dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja prof. Artur Sula.

“Na ndodh shpesh që në punën tonë të përditshme të hasemi me dokumente në gjuhë të cilat nuk ka arkivist që ti di, të cilat kanë mbetur stok prej kohësh në vendruajtjen e DPA-së për shkak të pamundësisë objektive që të njihen ato gjuhë”, – theksoi Bido.

Sipas tij, përmes kësaj marrëveshje Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave plotëson dy momente të rëndësishme lidhur me dokumentet.

“E para, duke ju dhënë mundësinë studentëve të aksesojnë këto lloj dokumentesh, që do të jenë të përpunuara dhe nga ana tjetër studentët e Gjuhëve të Huaja do kenë mundësi të zhvillojnë praktikat e tyre mësimore duke bërë një punë të rëndësishme dhe reale për të mirën e arkivit, për të mirën e studiuesve dhe për të mirën e kombit”, – nënvizoi Bido.

Bido falënderoi Dekanin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja prof. Artur Sula, duke theksuar se “u tregua i gatshëm për të bashkëpunuar menjëherë sapo ja propozuam nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje”.

Prof. Sula tha se “është kënaqësi që të krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë me një institucion të rëndësishëm, siç është Arkivi i Shtetit, i cili u jep mundësinë studentëve tanë të testohen dhe të promovohen nëpërmjet kësaj praktike./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.