Shqipëria respekton parimin e barazisë gjinore në përbërje të delegacioneve kombëtare në PACE

TIRANË, 27 janar /ATSH – I. Vata/- “Shqipëria renditet në vendet ku vajzat dhe gratë përfshihen më shumë në politikë”, tha sot deputeti i PS-së Ervin Bushati, duke iu referuar raporterit të Byrosë së Asamblesë, Tiny Kox.

“Shqipëria renditet në vendet ku vajzat dhe gratë përfshihen më shumë në politikë. Raporteri i Byrosë së Asamblesë Tiny Kox (Holandë), gjatë prezantimit mbi aktivitetet e Byrosë të zhvilluara nga tetori 2019 në janar 2020, u ndal dhe komentoi ato vende të cilat kanë ndjekur politika të barazisë gjinore”, u shpreh Bushati.

“Ai përgëzoi në mënyrë të veçantë vende si Shqipëria, që kanë respektuar parimin e barazisë gjinore në përbërje të delegacioneve kombëtare në PACE”, shprehet Bushati.

Shqipëria renditet në vendin e 4 në rang global, për sa i përket numrit të ministreve gra në qeveri. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Gratë (UN Women) ka kryer një studim të grave në politikë për vitin 2019, në 191 vende, ku konfirmohet progresi i qeverisë shqiptare në përfshirjen e grave dhe vajzave në vendimmarrje. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.