Moti i keq në Durrës/ Tragetet në orar, priten pesë anije me mallra

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Dy tragetet e linjës Bari – Durrës janë ankoruar para orës 08:00 të paradites së sotme në portin më të madh të vendit. Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual Durrës, mësohet se tragetet nuk kanë shënuar vonesa, megjithë reshjet e shiut që kanë nisur gjatë natës.

Ndërkohë në kalatën 6 ka përfunduar përpunimi i anijes së specializuar “MSC Hannah”, në të cilën u ngarkuan dhe u shkarkuan gjithsej 2 118 kontejnerë.

Sipas APD-së, në kalatën 10 vijon përpunimi i anijes “Abo Alyssa” me 2 930 tonë skrap.

Ndërkaq në radën portuale kanë mbërritur anijet “Volgobalt” me 2 983 tonë grurë dhe “Sunaid X”, me 301 kontejnerë gjithsej.

Po sot, priten edhe anijet “Nacc Sirios”, e cila do të ngarkojë 4 100 tonë çimento për eksport, si dhe anijet “NS Helse” me afro 5 900 tonë skrap. /k.s/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.