Lezhë/ Më 2 shkurt gati fatura financiare e dëmeve nga tërmeti

TIRANË, 27 janar /ATSH – I. Vata/ Prefekti i Lezhës, Gjok Jaku, ka deklaruar se faza e vlerësimit përfundimtar për dëmet nga tërmeti është drejt fundit dhe deri në datën 2 shkurt do të jetë gati dhe fatura financiare.

Prefekti i qarkut Lezhë, Gjok Jaku njoftoi se dy grupe specialistësh në bashkitë Lezhë dhe Kurbin deri tani kanë bërë vlerësim përfundimtar të 80% të ndërtesave të dëmtuara. “Me përfundimin e vlerësimit përfundimtar deri në datën 2 shkurt do të kemi gati raportin financiar për koston e shkaktuar nga dëmtimet nga tërmeti”, u shpreh ai.

“Sot kemi 703 banorë të akomoduar në hotelet e Shëngjinit nga rreth 1420 që ishin në fillim. Nga të cilët po shohim dhe familjet që kanë përfituar bonusin e qirasë dhe nga një ditë në tjetrën po ikin, pasi gjejnë shtëpi me qira. Nuk ka një afat kohor që banorët të lënë hotelet, por do qëndrojnë derisa të gjejnë një banesë me qira”, tha Jaku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.