FOKUS – Liderë botërorë dhe të mbijetuarit e Aushvicit përkujtojnë 75-vjetorin e çlirimit të kampit

AUSHVIC, 27 janar /ATSH-DPA/ – Mbi 200 të mbijetuar dhe delegacione nga rreth 50 shtete do të mblidhen sot në ish-kampin nazist të përqendrimit të Aushvic-Birkenaut për të shënuar 75-vjetorin e çlirimit të tij.

Ngjarja kryesore përkujtimore do të zhvillohet përpara portës famëkeqe e quajtur “Porta e vdekjes”.

Ceremonia do të kryesohet nga presidenti polak, Andrzej Duda, por fjalimet do të mbahen nga ish-të mbijetuarit e kampit.

“Duhet të krijojmë të ardhmen e botës bazuar në kuptimin e thellë të asaj çfarë ndodhi më shumë se 75 vjet më parë në zemër të Europës dhe me ato që dëshmitarët okularë vazhdojnë të na tregojnë”, shkroi Duda në një deklaratë të publikuar para ngjarjes.

“E vërteta për Holokaustin nuk duhet të vdesë. Nuk do të ndalojmë përpjekjet tona për ta bërë botën të mos e harrojë këtë krim. Në mënyrë që diçka e tillë të mos përsëritet”, shkroi ai.

“Çdokush që dëgjon historinë e një të mbijetuari, ka përgjegjësinë ta kujtojë atë. Tashmë jemi kujtesa e e të mbijetuarve”, deklaroi kryerabini i Polonisë, Michael Schudrich.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe presidenti izraelit Reuven Rivlin, do të jenë mes përfaqësuesve të mbi 50 shteteve dhe shumë institucioneve ndërkombëtare, të cilët do të bëjnë homazhe për personat e vrarë në Aushvic./ /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.