Dëmet nga tërmeti/ Specialistët italianë: “Shtëpia me gjethe”, nuk përbën rrezikshmëri për publikun

– Pas disa ndërhyrjesh të vogla, mund të hapë dyert-

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Specialistët italianë të misionit “Task Force Italiana U4H” të ardhur në vendin tonë pas kërkesës së Ministrisë së Kulturës kryesisht për të inspektuar monumentet e trashëgimisë kulturore, vizituan edhe “Shtëpinë me gjethe”.

Në këtë inspektim ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ku u njoh me situatën dhe shkëmbeu mendime me ekspertët, për hapat e mëtejshëm dhe nevojat reale që ka trashëgimia kulturore në Shqipëri.

Specialistët siguruan se “Shtëpia me gjethe”, nuk përbën rrezikshmëri për publikun dhe pas disa ndërhyrjesh të vogla, mund të hapë dyert.

Pas ngjarjeve sizmike të 26 nëntorit, Ministria e Kulturës kërkoi pjesëmarrjen e ekspertëve të huaj për të na ndihmuar në administrimin e urgjencës, në mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, thirrje të cilës iu përgjigj Ambasada Italiane.

Në vijim të punës, grupi i specialistëve italianë dhe i specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë kanë inspektuar Kalanë e Bashtovës në Kavajë, Muzeun Etnografik të Durrësit, Kullën e Sahatit në Kalanë e Krujës dhe Muzeun Etnografik të Kavajës, etj./k.s/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.