Praktika e studentëve në Administratë, Ministria e Arsimit: Më 7 shkurt nis aplikimi

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Studentët që kanë përfunduar nivelin e studimeve “Bachelor” do të kenë mundësi nga 9 marsi deri më 8 qershor, të zhvillojnë praktikën mësimore në administratën shtetërore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe shoqëritë tregtare.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka publikuar në Fletoren Zyrtare shpalljen e “Thirrjes së pestë”, në kuadër të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Procesi i aplikimit fillon më 7 shkurt dhe përfundon më 29 shkurt 2020.

Kriteret që kandidatët duhet të plotësojnë, për të vazhduar më tej me aplikimin janë: të kenë mbushur 21 vjeç deri në datën 9 mars 2020, si dhe të jenë deri në 26 vjeç në datën 9 mars 2020 (fillimi i programit të praktikës); aplikantët duhet të jenë minimalisht të diplomuar në programet e studimit të ciklit të parë Bachelor, deri në datën 9 mars 2020.

Po ashtu aplikantët nuk duhet të kenë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme, pasi qëllimi i tij është ofrimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e aftësive profesionale e të shprehive të tyre praktike, në njohje me sistemin administrativ publik.
Programi Kombëtar i Praktikës së Punës, do të zgjasë 3 muaj.

Aplikimi do të kryhet në platformën zyrtare të programit: http://praktika.arsimi.gov.al/. Në këtë platformë do të publikohen profilet studimore të kërkuara nga institucionet pjesëmarrëse në program, me qëllim orientimin e kandidatëve. Shpallja e fituesve bëhet brenda 10 ditëve kalendarike nga mbyllja e aplikimit.

“Praktikanti do të kryejë praktikën e punës pranë institucionit ku është pranuar, çdo ditë, nga e hëna deri të premten, orar zyrtar. Që të certifikohet për përfundim me sukses të programit, kandidati duhet të marrë pjesë minimalisht në 80% të periudhës së zhvillimit të programit”, thuhet në shpalljen e thirrjes së Ministrisë së Arsimit.

/k.s/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.