I kërkuar në disa qytete për mashtrim, arrestohet në Korçë 31-vjeçari nga Kosova

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Një 31-vjeçar nga Kosova, i kërkuar nga policia e Vlorës, Fierit, Tiranës dhe Elbasanit për mashtrim në vlera të konsiderueshme, u arrestua në qytetin e Korçës.

Sipas njoftimit për shtyp të Policisë, L. S., 31 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë (i dënuar më parë për veprën penale “Mashtrimi”), tentoi t’i largohet policisë duke kundërshtuar urdhrin e punonjësve, por u neutralizua dhe ndalua.

Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, iu gjet 1 kartë identiteti shqiptare e dyshuar si e falsifikuar, si dhe në mjet iu gjet 1 thikë dhe 1 sopatë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shtetasi i mësipërm rezulton i shpallur në kërkim në qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë e Fier, për veprën penale “Mashtrimi” si më poshtë: Gjykata e rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 2 vjet burg, pasi nëpërmjet mashtrimit që u ka bërë dy personave (në kohë të ndryshme) dyshohet se ka përfituar një shumë mbi 10000 euro.

Ndërsa Gjykata e rrethit Gjyqësor Elbasan ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën “Mashtrimi, kryer në bashkëpunim”.

“Gjykata e rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ky shtetas në disa raste ka përfituar me anë të mashtrimit shuma parash duke shituar mjete të marra me qira. Po ndaj këtij shtetasi po zhvillohen hetime edhe nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP-Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi ky shtetas me anë të mashtrimit ka përfituar nga një shtetas në Levan të Fierit, një shumë prej 850.000 lekësh:, – theksoi policia.

Aksioni për kapjen e tij u krye nga Policia e Korçës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier. Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”./k.s/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.