Dëmet nga tërmeti/ 1 – 5 milionë lekë kompensim për familjet me banesa të dëmtuara më lehtë

TIRANË, 26 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka familje që nuk kanë humbur shtëpinë, por kanë pasur dëme dhe që do të kompensohen nga 1 milionë lekë të vjetra për dëme të lehta deri në 5 milionë për dëme pak më serioze, por që nuk i kanë nxjerrë nga shtëpia.

Në prezantimin e platformës së aplikimit online për qytetarët që përfitojnë nga programet e rindërtimit, Rama tha se ndërkohë qytetari mund të ndjekë procesin përmes platformës.

“Kështu garantohet që zyrat e shtetit nuk i ikin më përgjegjësisë sepse nuk është më vetëm zyrtari dhe qytetari, zyra dhe aplikanti, por është shteti i tërë që të shikon”, tha Rama.

Ai theksoi se “ekranet e monitorimit janë instaluar në katin e dytë në kryeministri, ku është edhe zyra ime”.

“Në kohë reale do të ndjekim gjithë procesin. Një ekip i bashkëqeverisjes do të ndjekë të gjithë vonesat dhe njësitë zbatuese nuk kanë fare mundësi të fshihen sepse gjithçka është transparente. Kjo do të na garantojë edhe monitorimin dhe do të ndëshkohen të gjitha rastet kur do të identifikohet se në procesin e kompensimit janë futur familje që nuk e meritojnë. Do të ndëshkohen të gjitha këto raste. Ky nuk është proces për të bërë qoka apo për të strehuar njerëz që nuk janë prekur nga tërmeti, pro është proces për të prekurit nga tërmeti”, shtoi Rama. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.