Akses në lagjet muzeale të Beratit, rikonstruktohet rruga “Muzak Topia”

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Berati, qyteti unik në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë, është një nga destinacionet turistike kryesore në vend.

Në kalanë e lashtë mbi kodër të banuar edhe sot rrugët dhe rrugicat presin mijëra vizitorë në të gjitha stinët e vitit.

Gurgdhendësit e Beratit kanë skalitur rrugë e rrugica të kalasë që shëmbëllejnë me sixhadetë dekorative të punuara me dorë..

Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se me rritjen e fluksit të grupeve turistike ka lindur nevoja e përmirësimit të gjeometrisë së rrugës “Muzak Topia”, punimet për rikonstruksionin e së cilës kanë filluar.

Sipas FSHZH-së, punimet do të përqendrohen në zgjerimin e rrugës për të përballuar trafikun e vizitorëve që frekuentojnë Kalanë e Beratit.

“Ndërhyrjet e projektit konsistojnë në zgjerimin e trupit të rrugës ku përfshihen edhe trotuarët me shtrim me pllaka guri, për ndriçimin e rrugës; punime për kanalizimet e ujërave të bardha, për rikonstruksionin e sheshit të lapidarit me kalldrëm, për krijimin e hapësirës së parkimit për automjetet/autobusat e turistëve, si dhe punime për gjelbërimin e të gjithë segmentit”, – thekson FSHZH.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit shprehet se një sërë ndërhyrjesh të reja po fillojnë “të marrin jetë”, në Shqipëri nga veriu në jug.

Projekte të cilat kanë qëllim primar të jenë në shërbim të komunitetit dhe të mbulojnë një sërë drejtimesh kryesore në vend si: infrastrukturë, turizëm, ekonomi lokale dhe kombëtare, partnership, zhvillim urban dhe përfitime sociale.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta./k.s/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.