Shërbime cilësore përmes partneritetit me shoqërinë civile/ BE financon 71 projekte në 12 bashki

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Bashkimi Europian ka financuar 71 projekte në 12 bashki të vendit, duke mbështetur nxitjen e aktiviteteve ekonomiko-sociale, në shërbim të qytetarëve në fusha si: fuqizimi ekonomik i të rinjve, përfshirja sociale, mbrojtja e mjedisit, demokracia vendore, zhvillimi i turizmit, barazia gjinore, etj.

Programi Rajonal për Demokracinë Vendorë në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), është një iniciativë rajonale e cila financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

Në një njoftim për shtyp Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, bën të ditur se, nëpërmjet ReLOaD, për herë të parë në Shqipëri, bashkitë kanë parashikuar një linjë buxheti për mbështetjen e projekteve që do të zbatohen nga organizatat e shoqërisë civile në përputhje me metodologjinë për alokimin e fondeve publike për organizatat e shoqërisë civile.

Ky dokument është miratuar nga këshillat bashkiakë të 12 bashkive partnere dhe aktualisht ka mbështetur në total 71 projekte të ndryshme ekonomike-sociale me impakt në përmirësimin e cilësisë së qytetarëve.

Qëllimi i tij është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet pushtetit vendor dhe organizatave të shoqërisë civile me qëllim ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët. Në Shqipëri, programi ka vendosur partneritet me 12 bashki: Dibra, Durrësi, Elbasani, Librazhdi, Lezha, Përrenjasi, Përmeti, Tropoja, Shkodra, Tirana, Roskoveci dhe Korça.

Programi ka mbështetur 58 organizata të shoqërisë civile, të cilat punojnë në bashkitë  partnere dhe janë kryesisht organizata të vogla. Stafi i bashkive partnere është trajnuar gjithashtu për zbatimin e standardeve ndërkombëtare në menaxhimin e projekteve.

Disa nga projektet e programit (ReLOaD)

Të rinjtë në vendimmarrje

Shoqata rinore SOEK IN’ ka marrë përsipër zbatimin e projektit “Krijimi i përfaqësisë së të rinjve në proceset e vendimmarrjes së qeverisjes vendore” në qytetin Librazhd. Projekti ka si qëllim rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse në bashkinë e Librazhdit, duke krijuar për herë të parë në këtë bashki Këshillin Bashkiak rinor. Në këtë kuadër projekti synon të krijojë dhe fuqizojë një grup të rinjsh si dhe të mbështes (blerje pajisjesh) një qendër ku ky Këshill do të mblidhet. Bashkia Librazhdit do të ofrojë mjediset për funksionimin e kësaj strukture, e cila do të jetë zëri i të rinjve në proceset vendimmarrëse. Edhe në Korçë një projekt i ngjashëm ka nisur nga puna, ku rreth 100 të rinj, nxënës ekselentë të gjimnazeve të këtij qyteti kanë krijuar Këshillin Rinor përmes së cilit synojnë të përcjellin zërin e të rinjve në Këshillin Bashkiak dhe instanca të tjera shtetërore. Projekti ka si qëllim fuqizimin e bashkëpunimit midis të rinjve dhe pushtetit lokal përmes krijimit dhe fuqizimit të Këshillit Rinor. Më konkretisht, projekti do të fokusohet në: rfritje kapacitetesh të nxënësve për pjesëmarrje aktive dhe vendimmarrje në politikat rinore, duke krijuar Këshillin Rinor Korçë, fuqizimi i të rinjve përmes programeve të mobilitetit, vullnetarizmit, dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile si dhe fuqizimi i të rinjve përmes kartës rinore evropiane, nocioneve bashkëkohore të edukimit dhe shanseve për vendimmarrje.

Fuqizimi ekonomik i grave

Përmes projektit “Fuqizimi i rolit të gruas drejt politikave zhvillimore rurale” që po zbatohet në Korçë, synohet forcimi i rolit të gruas rome dhe egjiptiane në hapësirën publike, si faktor për fuqizimin ekonomik dhe social të saj. Në këtë projekt janë përfshirë gratë rome dhe egjiptiane në tre njësi administrative (Vithkuq, Drenovë dhe Voskop); gratë rome & egjiptiane në Korçë; janë 60 përfitues direkt (80% gra dhe 20% burra). Specifikisht projekti fokusohet në: krijimin e një mjedisi institucional më të favorshëm për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në vendimmarrjen vendore, duke ngritur dhe fuqizuar grupet vendore te veprimit sipas qasjes leader; mbështetjen e grave rome dhe egjiptiane për fuqizimin ekonomik dhe social të tyre, përmes punëve artizanale dhe produkteve të kulinarisë.

Zhvillimi i turizmit

Projekti në bashkinë Përrenjas; “Nxitja dhe promovimi i turizmit nëpërmjet guidave lokale” synon promovimin dhe nxitjen e turizmit në territorin e bashkisë Përrenjas si një mundësi për zhvillimin ekonomik e rural të zonës. Ai do të fokusohet në: përcaktimin dhe promovimin e destinacioneve turistike potenciale me anë të materialeve informuese, medieve dhe rrjetet sociale, trajnimin e të rinjve si guida lokale, të gatshëm për të ushtruar profesionin e tyre për promovimin dhe nxitjen e turizmit në destinacionet e përcaktuara. Përmes këtij projekti janë trajnuar 10 të rinj që do të angazhohen në të ardhmen si guida lokale, të cilët synohen të jenë të rinj djem/vajza (20-35 vjeç) dhe do të përzgjidhen të paktën 30% vajza (por do të synohet edhe për më shumë), duke kontribuuar edhe në uljen e mentalitetit të zonës dhe vështirësisë së terrenit.

Mbrojtja e Mjedisit

Projektit “Për një mjedis të pastër dhe komunitet të ndërgjegjësuar në bashkinë Librazhd” synon rritjen e ndërgjegjësimit të banorëve dhe kryesisht të rinjve për mbajtjen pastër të mjedisit dhe për riciklimin e mbeturinave duke zbatuar ndarjen e tyre në burim. Katër shkolla të mesme dhe dy shkolla 9-vjeçare, si dhe bashkia Librazhd janë angazhuar në këtë projekt.

Projekti “Ujëra të mbrojtur për komunitete të shëndetshme” synon ndërgjegjësimin e komunitetit mbi pasojat e ndotjes së mjedisit. Projekti ka si qëllim reduktimin e ndotjeve urbane në pellgun ujëmbledhës Shkumbin  nëpërmjet ndërgjegjësimit, informacionit dhe ndërhyrjeve konkrete për të sensibilizuar komunitetin, shkollat, bizneset, strukturat shtetërore, OJF, etj… Edhe projekti “Promovimi i mbrojtjes së mjedisit përmes angazhimit të të rinjve” ka si qëllim rritjen e edukimit mjedisor të brezave të rinj për një rol sa më aktiv në mbrojtjen e mjedisit; mbështetur në dy shtylla kryesore: Aktivitete ndërgjegjësuese me të rinjtë duke u fokusuar tek krijimi i grupeve të gjelbra në shkolla dhe hartimi i një manuali për mbrojtjen e mjedisit dhe organizimi i aktiviteteve konkrete në mbrojtje të mjedisit, si ditët e mbjelljes së pemëve dhe luleve dhe ditët kalendarike të  pastrimit.

Në total Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) financuar nga BE, kap një vlerë prej 10 milionë eurosh, me 200 projekte të mbështetura dhe me 38 mijë qytetarë që kanë përfituar.

e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.