Bardhi: Pushteti vendor duhet t’u kthehet qytetarëve

TIRANE, 25 janar/ATSH/- Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi gjatë një takim me strukturat e qarkut Tiranë tha se “pushteti vendor duhet t’u kthehet qytetarëve, që me votë të lirë të zgjedhin kryebashkiakun që punon për interesin e tyre dhe jo të qeverisen nga shërbëtori i radhës”.

Bardhi shprehet se banorët e Kamzës, Paskuqanit, Vorës dhe Rrogozhinës janë më të diskriminuarit dhe më të papërfaqësuarit.

“Ata drejtohen nga kryebashkiakë ilegjitimë, të votuar nga vetëm 6 përqind e elektoratit, si në rastin e Kamzës”, tha ai.

“Së bashku po punojmë që t’u kthejmë qytetarëve të drejtën për të zgjedhur, të drejtën për të kërkuar llogari, të drejtën për të shkarkuar kryeministrin dhe kryebashkiakun që nuk mban premtimet”, u shpreh ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.