Projekti “Drejtësi për të gjithë”/ Transparenca me median, në fokus të KLGJ-së

TIRANË, 24 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Transparenca me medien dhe sigurimi në kohë i informacionit ishte në fokus të tryezës së organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me projektin e USAID “Drejtësi për të gjithë”.

Sipas njoftimit të KLGJ, në tryezën e organizuar në Tiranë ishin të pranishëm gjyqtarët e Medias, nëpunësit civilë gjyqësorë për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun, si edhe me përfaqësues të medias që mbulojnë veprimtarinë e sistemit gjyqësor.

Fillimisht, në këtë takim bëri një prezantim të shkurtër rreth rolit të ri të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të gjyqtarëve të medias, si edhe të nëpunësve civilë gjyqësorë për marrëdhëniet me median dhe publikun, Erjon Muharremaj, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor përgjegjës për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun. Në takim u prezantuan Gjyqtarët e Medias, Vojsava Osmanaj, Edlira Petri,  Desart Avdulaj,  Klodiana Gjyzari, Etleva Temo,  Enton Dhimitri,  Lindita Sinanaj dhe Saida Dollani.

Takimin e përshëndeti edhe Anne Trice, Drejtuese e Projektit “Drejtësi për të gjithë”, ndërsa ekspertja e USAID në fushën e marrëdhënieve të gjykatës me publikun dhe median, Leah Gurowitz, ndau me të pranishmit eksperiencën e saj në SHBA.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjyqtarët e Medias dhe Nëpunësit Civilë Gjyqësorë për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun do të punojnë së bashku për të garantuar transparencën dhe të sigurojnë që gjyqësori t’u përgjigjet në kohë kërkesave për informacion. Aktualisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor është duke punuar për arritjen e këtyre objektivave kryesorë: miratimin e Strategjisë së Komunikimit dhe Planin e Veprimit për vënien e saj në zbatim, miratimin e Rregullores për Komunikimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, vënien në funksionim të faqes së re të përkohshme të internetit, si edhe vijimin e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë për krijimin e portalit elektronik për sistemin gjyqësor.

Takimi është vetëm hapi i parë drejt vendosjes së një bashkëpunimi që do i mundësojë publikut marrjen e informacionit në lidhje me veprimtarinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.