Pasojat e tërmetit/ Rama falënderon Conte-n dhe Di Maio-n: Pa Italinë, vështirësitë do ishin të pakapërcyeshme

TIRANË, 23 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama falënderoi sot homologun italian Giuseppe Conte dhe ministrin e Jashtëm, Luigi di Maio për humanizmin dhe mbështetjen që po i jep Shqipërisë, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Kreu i qeverisë shqiptare shprehet se pa gatishmërinë e Italisë dhe të Conte dhe Di Maio, vështirësitë pas tërmetit do të ishin të pakapërcyeshme.

“Faleminderit për humanizimin që ju dallon në sytë e Shqipërisë në këto momente të vështira pas tërmetit të nëntorit të kaluar, që pa Italinë dhe gatishmërinë tuaj për të na ndihmuar do të ishin të pakapërcyeshme”, – theksoi Rama.

Gjatë vizitës së sotme në Romë, Itali, Rama u prit në takim nga Kryeministri italian Conte dhe ministri i Jashtëm Di Maio, me të cilët diskutoi për organizimin e Konferencës së Donatorëve më 17 shkurt në Bruksel, për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.