Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel viziton nesër Shqipërinë

TIRANË, 23 janar /ATSH/ -Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 24 janar.

Kjo konfirmohet nga axhenda zyrtare e publikuar nga Këshilli Europian.

Presidenti i Këshillit Europian viziton Shqipërinë një javë pas Komisionerit Për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili zhvilloi takime me krerët më të lartë të politikës në vend, si dhe vizitoi zonat e prekura nga tërmeti.

Konferenca e Donatorëve që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel, do të japë mbështetje për Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Vetëm pak ditë më parë, Komisioneri i BE për Zgjerimin rikonfirmoi faktin se BE dhe ai vetë e kanë prioritet Ballkanin Perëndimor, ndaj u realizua dhe kjo vizitë e tij e parë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.

Ndërsa Komisioni Europian ka konfirmuar për ATSH se, i qëndron besnik rekomandimeve për hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke shprehur besimin për një vendim pozitiv nga Këshilli përpara Samitit të Zagrebit në maj.

Një zëdhënëse e Komisionit Europian bëri të ditur për ATSH detaje edhe nga metodologjia e re e zgjerimit, ndërsa deklaroi se, “Komisioni Europian do të paraqesë në javët në vazhdim propozimet për ta bërë procesin e pranimit më efikas, më të besueshëm dhe më dinamik”.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.