Miratohet akti i dytë normativ për buxhetin e vitit 2019/ Dhëmbi: 2.6 miliardë lekë për bonus qiraje për familjet e prekura nga tërmeti

TIRANË, 23 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Komisioni i Ekonomisë miratoi sot aktin e dytë normativ për buxhetin e shtetit të vitit 2019 i cili parashikonte realizimin e dy objektivave, dhënien e shpërblimit për pensionistët dhe kategoritë e tjera që trajtohen me pension si dhe përballimi i dëmeve të para të tërmetit.

Ministria e Financave bënë të ditur se është dyfishuar fondit për bonus qiraje nga 1.3 miliardë lekë në 2.6 miliardë lekë. Po ashtu u bë me dije se nuk janë prekur parametrat bazë të buxhetit, por janë ri-alokuar fondet, konkretisht 1.9 miliardë fondi për bonusin e shpërblimit të fundvitit, 70 milionë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë për bonusin e bebeve, 300 milionë për Ministrinë e Shëndetësisë për pagesën e invaliditetit dhe 235 milionë ju shtuan fondit rezervë për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit.

Lidhur me pasojat e tërmetit, vetëm në muajin dhjetor janë harxhuar mbi 270 milionë lekë për emergjencat e para siç ishte strehimi në hotele.

Drejtoresha e Buxhetit Mimoza Dhëmbi tha gjatë punimeve në komision, se deri më tani kërkesat për bonus qiraje kanë arritur në 2.6 miliardë lekë. “Ky akt normativ ka dy objektiva kryesore bonusin e pensionistëve dhe dëmet e para të tërmetit. Deri më tani kanë aplikuar për bonus qiraje qytetarë të shumtë në vlerën e 2.6 miliardë lekë, nga 1 miliardë lekë që ishte parashikuar deri më tani. Fondi prej 1.6 miliardë lekësh që mund të shtohet edhe më tepër pasi ende ka kërkesa për bonusin e qirasë do të merret nga fondi i rindërtimit. Gjatë dhjetorit u shpenzuan 270 milionë lekë për shpenzimet në muajin dhjetor. 70 milionë për inspektime në banesat e dëmtuara”,- deklaroi Mimoza Dhëmbi.

Sa iu takon kontributeve nga ana e donatorëve sipas zëvendësministrit të financave Elton Haxhi, deri më tani janë mbledhur rreth 15 milionë euro. “Kontributi për donatorët afërsisht ka arritur në 15 milion euro, pa llogaritur donacionin e BE. Kontributi për dëmet e tërmetit nga donatorët”,-tha ai.

Akti është miratuar edhe me votat e opozitës dhe sipas re-latores Blerina Gjylameti, buxheti i 2019 përmbushi objektivat për reduktimin e borxhit publik dhe konsolidim fiskal. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.