Komisioni i Ligjeve miraton projektligjin për “Dhënie Amnistie”

TIRANË, 23  janar /ATSH – I. Vata/- Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar në mbledhjen e sotme projektligjin e ri për “Dhënie Amnistie”, me një ndryshim.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj paraqiti sot para deputetëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut detaje nga projektligji i ri për “Dhënie Amnistie”.

Efekti i amnistisë do të përfshijë të gjitha kategoritë që përfitojnë dhe që janë dënuar deri më datë 31 dhjetor të vitit që lamë pas.

Në votimin e kësaj shtyrje të efektit të amnistisë të gjithë të pranishmit kanë votuar pro, ndërsa Alket Hyseni abstenoi.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Manja kërkoi që efektet e amnistisë të shtyheshin në momentin që hyn në fuqi, ndërsa ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u shpreh se nëse miratohej në këtë formë kush ka bërë krim dorëzohet dhe përfiton nga amnistia.

Kështu Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vendosi shtyrjen e efekteve deri në 31.12.2019.

Sipas Gjonajt, gra të dënuara me vendim të formës së prerë në burgjet shqiptare janë 54 nga të cilat 22 do të përfitojnë lirinë nga amnistia, ndërsa 28 të tjera ulje të dënimit me 1/3 e tij ndërsa 4 prej tyre nuk janë përfshirë si pjesë përfituese nga amnistia.

Nga amnistia nuk përfitojnë të dënuarit me burgim të përjetshëm, ata që janë dënuar për dhunë në familje, krime seksuale apo korrupsion. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.