Emërimet në Gjykatën Kushtetuese, Meta publikon pyetjet drejtuar Komisionit të Venecias

TIRANË, 23  janar /ATSH – I. Vata/- Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është drejtuar Komisionit të Venecias “Për dhënien e një opinioni mbi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”.

Presidenti Meta i drejtohet President i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio duke shprehur reagimin e tij në dhjetë pika.

Presidenti Meta tha se nuk ka asnjë reflektim nga Kuvendi ndaj këshillave të Komisionit të Venecias.

“Të dhënat e shtrembëruara dhe pyetjet vetësugjeruese të Kuvendit synojnë lexim të gënjeshtërt të situatës. Presidenti dërgoi informacion të plotë të dokumentuar, dhe një listë pyetjesh që qartësojnë kushtetutshmërinë e veprimeve të secilit. Përse kërkoi Venecia përcaktimin në Kushtetutë dhe ligj të radhës së emërimeve? Mosrespektimi i radhës a përbën shkelje të gërmës së Kushtetutës? Cila dispozitë kushtetuese parashikon që një institucion të emërojë disa gjyqtarë kushtetues njëkohësisht? Presidenti kërkoi vazhdimisht bashkëpunim dhe zbatim të Kushtetutës”, tha ai.

Po ashtu Presidenti Meta shtoi se mazhoranca refuzoi bashkëpunimin dhe çoi deri në fund skenarin e saj. “Kuvendi tentoi rrëmbimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit me qëllim kapjen e Gjykatës Kushtetuese!Kur Qeveria, Kuvendi, të gjitha Bashkitë, Këshillat Bashkiakë dhe thuajse të gjitha institucionet e pavarura, janë në duart e një partie të vetme: a i shërben kapja e Gjykatës Kushtetuese interesit politik për t’iu shmangur kontrollit dhe llogaridhënies? Shqipëria në çekuilibër të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe balancës, rrezikon kapjen totale të shtetit!”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.