TIRANË, 22 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka ngritur Komisionin e Vlerësimit, që do të vlerësojë aplikantët që do të jenë pjesë e garës për Kryetarin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Burime zyrtare kanë bërë të ditur se komisioni i ngritur përbëhet nga tre anëtarë, Kryetari i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, që pritet të mbajë dhe rolin e kryetarit të komisionit, si edhe dy prokurorë të tjerë të SPAK, Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra.
Me datën 10 janar të 2020 u hap gara për për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Ka qenë Kryetari i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja i cili ka njoftuar hapjen e garës për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
“Ne duam të zgjedhim një person që ka integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish si lider për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish. Unë do të doja që t’iu bëja thirrje të gjithë personave të interesuar, femra dhe meshkuj, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin për SPAK-un, që të aplikojnë për këtë pozicion pune. Në mënyrë që SPAK-u të jetë i suksesshëm, ne kemi nevojë për Drejtorin më të aftë dhe më të motivuar në drejtimin e BKH-së”, thuhet në njoftim.
Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit është përgjegjës për funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe mbikëqyret nga një komision i përbërë prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short.
Personi që do të përzgjidhet nga ky proces, do të jetë pjesë e një grupi elitë që mbështet Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorët e Posaçëm, të cilët do të hetojnë veprat penale nën juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thuhet në njoftimin zyrtar të hapjes së garës.
Deri tashmë ku jemi një java para mbylljes së aplikimeve, janë katër kandidatë që pretendojnë zgjedhjen në krye të BKH.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara pak ditë më parë u ka bërë thirrje punonjësve të Policisë e prokurorëve që të aplikojnë për të qenë pjesë e strukturës së Byrosë Kombëtare të Hetimit. Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër mbështetësit kryesor të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Po kështu grupi i 60 hetuesve të BKH do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara.
