FOTO/ Punime intensive për ndërtimin e qendrës së re multifunksionale në Patos

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Në Patos vijojnë punimet me ritme të larta për ndërtimin e qendrës multifunksionale, që do të shërbejë për banorët e Sheqishtes dhe të gjithë njësisë administrative Zharrëz.

Kryetarja e bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj, inspektoi sot punimet në këtë qendër ku banorët do të kenë fare pranë banesave të tyre një qendër shëndetësore tërësisht të re, kopsht dhe qendër multifunksionale.

Ndërtimi i këtyre ambienteve të reja në një godinë dykatëshe në Sheqishte, vjen në sajë të një donacioni nga Programi i Ndihmave Humanitare të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Europën, nëpërmjet Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën Amerikane në Tiranë , në bashkëpunim me bashkinë Patos, e cila i ka drejtuar kësaj agjencie kohë më parë kërkesën për mbështetje financiare./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.